JEZHI FICOVSKI – POET I KUJTESES DHE I HISTORISË SË DHEMBSHME TË HOLOKAUSTIT HEBRAIK

Jezhi Ficovski u lind më 1924 në Varshavë, në një familje intelektualësh. Babai i tij interesohej gjallërisht për letërsinë dhe, qysh para luftës së parë botërore themeloi dhe redaktoi në Kievë revistën letrare “Pena”. Ndërkaq, që nga fëmijëria dhe deri në moshën shtatëmbëdhjetë vjeçe – poeti si pasionin më të fuqishëm, si kureshtje më të zjarrtë e kishte natyrën, e para së gjithash – entomologjinë. Pasioni i dytë i mirëfilltë i tij ishte – etnografia.

“Shija dhe prirja ime rinore – paralajmeroi poeti i ardhshëm – nuk ishin shkencore dhe, për këtë gjithnjë më ka interesuar ajo çfarë është e jashtzakonshme, por jo jashtë përditshmërisë, derisa posedon kodin e vet, shënimin e veçantë”. Ndodhi, kjo në periudhën “kur akoma përçmoja poezinë” – pohoi poeti – “kështu as në kokë nuk më erdhi një mendim i tillë se dikur do t’i kushtohem në tërësi letërsisë”. 

Në kohën e Kryengritjës së Varshavës (1943-1944) si ushtar i regjimentit “Sharapolli” i Ushtrisë Kombëtare luftoi në lagjën e Varshavës , në Mokotovë. Pas kapitullimit të Mokotovës (1944) u zu si rob lufte, prej ku e transferuan në një vagon kafshësh në kampet e përqendrimit në Gjermani, ku çuditërisht shpëtoi. Më 1945 kthehet në atdhe dhe, në vitet 1946-1950 studioi filozofinë dhe sociologjinë në Universitetin e Varshavës. Pastaj, me propozimin e Komandës së Ushtrisë Kombëtare u dekorua me Dekoratë Lufte nga Qeveria e Emigracionit në Londër. 

Jezhi Ficovski poezinë e parë e shkroi më 1942: “Hyra në botën e artit si një amator, pa pasur ndonjë përgatitje të veçantë për të” do të rrëfehej pas viteve më vonë poeti. “Tërësisht nuk e njoha as avangardën tonë. Përjetimi im i parë i madh në të vërtetë ishin poezitë e zgjedhura të Julian Tuvimit. Paskëtaj, lexoja pareshtur, duke iu kthyer jo vetëm njëherë leximit të vemendshëm të veprave poetike të Adam Mickieviçit dhe të Ciprian Kamil Norvidit dhe, të gjitha këto mundësi që i kisha i shfrytëzoja nga biblioteka e begatshme e babait. Gjatë luftës zbulova krijimtarinë letrare të Bruno Shulzit dhe Franz Kafkes. Po, sikur të mos ekzistonte tërthorazi nxitja e fuqishme morale e babait – për të shkruar me siguri do të rropatesha më tej në pasionet e “shkencore”. 

Jezhi Ficovski 
Jezhi Ficovski 
Debutoi më 1948 me vëllimin poetik “Ushtarët e vegjël të plumbtë”. Në të njejtin vit u bë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Polonisë. Vëllimi poetik “Ushtarët e vegjël të plumbtë” paralajmëroi qysh atëherë një individualitet të fuqishëm poetik me një imagjinatë të fuqishme . Kritika letrare e asokohshme e priti me duartrokitje veprën e poetit , duke e hetuar dhe zbuluar si një fenomen të jashtëzakonshëm me një kulturë të madhe letrare që posedonte poeti, me një dhunti të madhe të vështrimit novator përkah përmbajtja dhe forma. 

Ndërkaq, përmes katër viteve poeti do të botojë krijimet e veta në shtypin letrar të asokohshëm, në mes tjerash dhe poemën me titull “Oskar Kolberg”, që do të zgjojë një interesim të gjallë në mes të lexuësve dhe kritikëve letrar. Përmes kësaj poeme ai shtron një varg problemesh, duke pasqyruar një imazh të fuqishëm poetik të çështjëve dhe emocioneve të njeriut bashkëkohës. Njëherazi na tërheq vëmendjën tonë një shtrirje e gjërë e madhe e këtyre temave, që kapin çështjet më të rëndësishme – të botëkuptimëve ideologjike, e krahas kësaj edhe çështjet e përditshme. Ndaj, qëndrimi aktiv ndaj realitetit, aftësia e vëzhgimit të fenomeneve më qenësore të jetës bashkëkohëse, interesimi i përgjithshëm per njeriun. 

Në ikjen para zbrazëtirës së madhe, Jezhi Ficovski i kthehet tematikës së Ciganëve, e cila qysh në rininë e hershme ka zgjuar e ngjallur imagjinatën dhe kureshtjen e poetit, derisa në vitet e okupacionit shkroi madje një skicë letrare, duke bërë një përshkrim autentik faktesh e ngjarjesh të jetesës së Ciganëve . “E gjithë kjo filloi me magjepsjën e ekzotikës- rrëfen poeti – me jetën e panjohur të njerëzve që jetojnë mes nesh, duke folur një gjuhë të huaj, duke paralajmëruar doke e zakone të tjera, të veçanta. Më ka tërhequr si magji ndjenja hermetike e këtij grupi shoqëror dhe izolimi i saj i vetëdishëm nga rrethi”. Që të fitojë njohuri për jetën e Ciganëve, për prejardhjën e tyre, doket e zakonet e tyre, Ficovski me ndihmën e fjalorit te gjuhës ruse-cigane, mësoi gjuhën dhe gramatikën e tyre. Pastaj, pas luftës u miqësua me Ciganët e shpëtuar nga shfarosja e armikut në vitet 1949-1950, ku ka bërë një varg shtegtimesh në Poloni, çfarë i ka lejuar të zotërojë gjuhën e tyre. Si rezultat i studimeve , hulumtimëve , shtegtimëve në kampet fushore të Ciganëve ëshstë studimi i tij “Ciganët polak”, e botuar më 1953. 

Është kjo një sprovë, studim i imazhit të jetës të popullit cigan, të paraqitjës së historisë dhe zakoneve e dokeve të këtij populli, të cilat grupe të ndryshuara shoqërore tashmë pesë shekuj takohën e kryqëzohën në udhëkryqet e historisë së Polonisë. Libri i Ficovskit ka një karakter të një vëllimi të njohurive e të informacioneve nga sfera e etnografisë dhe historisë, që kanë të bëjnë me Ciganët dhe fatin e tyre në Republikën e dikurshme të Polonisë. Në vitin 1954 qëndroi një kohë në Hungari, duke hulumtuar e studiuar jetën e Ciganëve të atjeshëm. Gjithsesi duhet vënë në spikamë se Ficovski ishte i miqësuar vite me rradhë me poeteshën e njohur cigane Papushën(Bronisllava Vajs), të cilën e zbuloi si një poeteshë, në mënyrë që më vonë, në vitin 1956 do të botojë librin e saj ‘Këngët e Papushës” në gjuhën cigane dhe polake. 

Pas vitit 1956 kur krijimtaria artistike e poetit zuri të zhvillohej në mënyrë më autentike, poeti gjeti rrugën e duhur e të drejtë të kërkimeve e të hulumtimëve të veta poetike, dëshmi e sëcilës është vëllimi tjetër i tij i poezive “Anët e mia të botës”, të cilat sollen me vete krijime të vërteta në përmbajtje dhe në formë. Ndërkaq, kritiku i njohur letrar polak Ryshard Matushevski, duke dëshmuar në atë kohë botimet më interesante poetike, në të cilat është theksuar “tendenca në zgjërimin e problematikës poetike në çështjet filozofike”, zë në gojë vëllimet poetike të Zbignjev Bjenkovskit, Zbignjev Herbertit dhe vëllimin poetik të Jezhi Ficovskit, në mes tjrash si një novator në të kërkuarit e gjuhës së veçantë poetike si gjuhë e ashtuquajtur gjuhë e Jezhi Ficovskit. Duke shkruar për vëllimin poetik “Anët e mia të botës”, Anna Kamienska pohon në mes tjerash se “ Në periudhën e krizës së filozofisë poezia merr funksione të saja të shumta. Filozofët, për fat të keq, nuk kanë shqisa për poezinë, ndonëse në mes të veprave filozofike mund të përfshihen edhe poemat e Herbertit, të Bienkovskit dhe të Ficovskit. Në poemën e Ficovskit “ Në emër të tokës” njeriu bashkëkohës kërkon koherencë të imazhit të kozmosit dhe tërë njerëzimit me jetën e tij të vogël , të thjeshtë, me përditshmërinë e vet. 

Më 1960 Jezhi Ficovski botoi vëllimin e tij të ri poetik “Fetishet dhe përkufizimet”, mbyll sikur në vetvete dy rryma të veçanta ppoetike. Disa krijime simbolizojnë dhe përfaqësojnë këtë magji poetike e ngritur nga imagjinata e jetës, janë të krijuara përmes saj qoftë me shenja, fetishe. Të tjerat – më afër poezisë të formulimeve të qarta dhe shprehëse intelektuale – mbase mbyllen në këto “ përkufizime” – që përcaktojnë disa tendenca filozofike të autorit. Mbase poeti me një titull të këtillë ka dashur pikërisht t’i kundërvihet vetvetes me këto dy tendenca, dy rryma. Së këtejmi, vëllimi tjetër poetik i titulluar “Alfabeti me ilustrime” u botua më 1962. 

Si vëllimi poetik “Fetishet dhe përkufizimet ashtu edhe “Alfabeti me ilustrime” nxjerrin në shesh dhe zgjojnë interesimin te çështja e fjalës, semantikës – jo si faktor i kuptimit linguistik stricto, po ekuivalenteve të përcaktauar të strukturës të botës. Është kjo një poetikë e një dendësie të madhe sugjestive të strukturës metaforike, poetikë e ikjes nga rrëmeti i botës në të bukurën, në rehatinë dhe qetësinë e kuptimeve të fshehura dhe magjinë e “sendeve te vogla”.Poetika e një shqise të ndjeshme të dëgjimit, e kërkimeve inventive në mes trë frjalëve, që na shpiejnë në koherenca të reja, gjithnjë me ilustrime. Ficovski ndërlidh konceptin me sensualizmin, konstruksionet me ilustrimet, me mjeshtëri vë në veprim thekset lirike në kuptimin e përpiktë, simbolikën aforistike me elementet groteske, me vëzhgimet sintetike lirike. 



Nga interesimet e tjera, përveç laboratorit poetik, Ficovski shkroi dhe botoi një libër tjetër “Rajone të herezisë së madhe” (1967) dhe vëllimin “Libri i letrave” të Bruno Schulzit, botuar më 1975. Janë këto skica mbi jetën dhe krjimtarinë e Schulzit, të shkrimtarit të njohur polak me prejardhje hebraike, të cilin e vranë nazistët hitlerian, proza e të cilit është mbajtur në poetikën e ëndërrimëve të përgjumura, në tone të groteskës e edhe lirike, e ka magjepsur poetin qysh më 1942. 

I magjepsur me krijimtarinë e Bruno Schulzit, Jezhi Ficovski bëri shtegtime në vendlindjen e tij, në Drohobiç, Truskaviec, Lvov. Mblodhi dokumente, letra, kujtime – një kontribut për biografinë . Pas botimit të këtij libri, poeti dhe eseisti i njohur polak, Julian Przyboś me të drejtë shkroi se libri “ ka një rëndësi të veçantë jo vetëm në njohjën e biografisë letrare të Schulzit; 

po gjithashtu ajo paraqet një interpretim të veprës së tij, është një sprovë e shpjegimit të filozofisë së tij dhe teorisë së poezisë”. 

Qërimi i hesapeve me botën, njerëzit dhe historinë – sërish e ndërmerr poeti në vëllimin tjetër poetik “Zogu përtej zogut”(1968). Pas botimit të këtij vëllimi poetik, Ryszard Matuszevki në mes tjerash pohoi se: “Ajo qe i jep vlerë artit, veprës dhe fatit njerëzor, më tepër se vetë ekzistenca njerëzore është pjesëmarrja jonë, bashkëpunimi i imagjinatës krijuese, dhe më në fund kujtesa. Këtë pjesëmarrje të pakapshme, këtë solidaritet, këtë fenomen të kujtesës së gjallë përpiqet poeti me poezitë e veta të paraqes, të shënojë, të mbërthej. Së këtejmi – edhe parimet e poetikës së tij, dhe imperativet e e qëndrimit dhe të pikëpamjeve të tij morale. E tërë çështja e meriton një vëmendje më - konstaton me të drejtë Matuszevski – e edhe funksioni i ironisë në poezitë e poetit”. 

Më 1960 poema e Jezhi Ficovskit “Letër Marc Chagallit” nga vëllimi poetik “Anët e mia të botës” u botua në Paris në përkthimin frëng me akuarelet e Chagallit, të njërit nga piktorët më të çmuar e më të shquar në botë. Është kjo një poemë për shfarosjën, për luftën, për fëmijët hebraik të dënuar për vdekje vetëmse kanë prejardhjen e tillë.Dhe vdekja e fëmijës është sikur vdekja e një pushteti. Poema tronditëse “Letër Marc Chagallit” është e përkthyer në shumë gjuhë të botës. 

Poezitë “Nga thellësia e kujtesës”, “I zhdukuri im”, “Epitafi i të vdekurit të gjallë”, “ 5 VIII 1942”, “Leximi i hirave” “Provë e kohës” “Muranov mbizotëron’”, “Të dy nënat tua”, “Kira”, “Lutje për morrat e shenjtë”, “Udha cigane”, “Nesër prapë do të vijë”, “Nuk di nuk arrij nuk dëshiroj” janë disa nga krijimet më tronditëse dhe më arrirë të poetit. 

Poezia e Jezhi Ficovskit në vështrim të parë duket e lehtë dhe e kuptueshme, po në të vërtetë kjo poezi kërkon një lexim dhe studim të veçantë, një përgatitje intelektuale, që të kuptosh gjuhën e tij të veçantë, të stërholluar, të kursyer, karakteristike dhe të mprehtë. 

Poezia e Jezhi Ficovskit flet per përvojat dramatike dhe të ndërlikuara. Kujtesa dhe harresa, e kaluara dhe e tashmja, vetëdija dhe pavetëdija koekzistojnë në poezinë e tij. 

Jezhi Ficovski është, para së gjithash, poet i kujtesës dhe i historisë së dhembshme hebraike, që shpalos para lexuesit tërë imazhin rrëqethës e tragjik, përplot tronditje dhe drithma të mëdha, të cila i di historia. 

Varshavë, 
fundi i prillit, 2010 
MAZLLUM SANEJA